Po festonte me tifozët, Bonuccin e ngatërrojnë me “pushtues” fushe

Nga A2 CNN
7 Korrik 2021, 08:31 | Futboll

Leonardo Bonucci pranoi pas kualifikimit për në finalen e “Euro 2020” se ndeshja ndaj Spanjës ishte një nga më të vështirat e karrierës së tij.

Mbrojtësi i Juventusit pati punë jo vetëm me sulmuesit spanjollë, por edhe me punonjësit e sigurisë së stadiumit. Një prej tyre e ngatërroi futbollistin italian me një tifoz.

Situata e çuditshme ndodhi kur Bonucci po festonte nga afër me tifozët në Wembley. Kur bëri të kthehej sërish te shokët e skuadrës, një punonjëse sigurie e ndaloi dhe i kërkoi të kthehej te vendi i tij në shkallët e stadiumit, duke menduar se juventini ishte një tifoz që u fut në fushë.

Habia në fytyrën e Bonuccit u duk qartë, ndërsa në rrjetet sociale dikush shkroi: “Për fat të mirë të punonjëses, ishte Bonucci dhe jo Chiellini”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos