Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë filluar garë të armatimit, pas zhvillimeve në Ukrainë dhe tensioneve në Kosovë. Ish-ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, deklaroi se kjo vjen për shkak të frikës dhe mungesës së garancisë për stabilitetin afatgjatë. Në studion e Ditarit me Bruna Çifligun, ai tha se kjo është për pasojë të përplasje së blloqeve të sigurisë BE-Rusi dhe SHBA e Kinë.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë filluar garë të armatimit, fillimisht ishte Serbia duke blerë nga Kina e Rusia e vende të tjera. Zhvillimet në Ukrainë dhe tensionet përreth Kosovës dhe ajo që ndodhi në Banjskë shtatorin e kaluar trazoi ujërat dhe tërhoqi vëmendjen e qendrave vendimmarrëse sa i takon sigurisë. Sot jemi në kushtet kur Kosova e Shqipëria kanë marrë furnizim. Këto tregojnë ka ethe të mungesës së garancisë për stabilitetin afatgjatë. Kur shtetet armatosen ka frikë dhe rënie të bashkëpunimit e besueshmërisë ndërmjet tyre. Kjo vjen në vijueshmëri të përplasjeve të blloqeve të sigurisë BE-Rusi dhe SHBA e Kina dhe secilës i kërkohet të ketë qasje proaktive, duke qenë anëtarë të NATO-s”.
Pavarësisht përparimeve të Ballkanit Perëndimor, Çejku thekson se vatra konflikti që mund të rindizen si Bosnjë Hercegovina, veriu i Kosovës.
“Ballkani ka dy anë; njëra sukseset dhe garancitë që ka perspektive euroatlantike bashkëpunim rajonal, ka bërë rrugë të gjatë të përafrimit të marrëdhënieve reciproke por nga ana tjetër kemi disa vatra që mund të rindizen si Bosnjë Hercegovina, veriu i Kosovës, pushtimi rus i Ukrainës dhe Lindja e Mesme mund të reflektojë. E gjitha kjo në kornizë zhvillimesh politike të paqarta si zgjedhjet për parlamentin e ri europian dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Këto lloj tensionesh janë gjithnjë aty si frikë mundësi për tensione në Ballkan.
Sipas tij, tensionet në Ballkan i interesojnë Rusisë, e cila asnjëherë nuk i ka fshehur ambiciet e saj për rikthim të saj hegjemon dhe kontroll të Europës Qendrore dhe Lindore.
“Rusia është e investuar për një situatë të tensionuar në Ballkan. Rusia ka investuar prej dekadash këtu. Rusia asnjëherë nuk i ka fshehur ambiciet e saj për rikthim të saj hegjemon dhe kontroll të Europës Qendrore dhe lindore. Influenca ruse sidomos në ish-Jugosllavi ka nostalgjitë e veta është çështje supremacie dhe kulture. Ka emra rrugësh që kanë konotacion me Moskën ashtu siç ka mbështetës të Putinit. Interesat ruse janë të qarta. Rusia po përpiqet të shfrytëzojë faktorë destabilizues dhe vatra tensionesh”.
Deklaratat e Çejkut vijnë pas paralajmërimeve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për tensione në Kosovë dhe Bosnje-Hervegovinë.
(A2 Televizion)