Një tragjedi ka ndodhur në Pakistan. Të paktën 24 persona janë vrarë dhe më shumë se 40 janë plagosur si pasojë e një shpërthimi me bombë në një stacion hekurudhor në Quetta, në Pakistanin jugperëndimor, theksoi policia dhe zyrtarë të tjerë për Reuters.
Inspektori i përgjithshëm i policisë për Balochistan, Mouzzam Jah Ansari, tha se 24 persona kanë vdekur nga shpërthimi deri më tani. “Objektivi ishte personeli i ushtrisë nga Shkolla e Këmbësorisë. Shumë prej të plagosurve janë në gjendje kritike.”, tha ai.
“Deri më tani 44 persona të lënduar janë sjellë në spitalin civil”, tha Dr. Wasim Baig, një zëdhënës i spitalit, shkruan A2 CNN.
Mbikëqyrësi i lartë i operacioneve policore, Muhammad Baloch, tha se shpërthimi ishte si pasojë e një bombë vetëvrasëse dhe se hetimet ishin duke u zhvilluar për më shumë informacion: “Shpërthimi ndodhi brenda stacionit hekurudhor kur ekspresi i nisur për në Peshawar ishte gati të nisej për në destinacionin e tij”.
Pakistani po përballet me një rritje të sulmeve nga militantët etnikë separatistë në jug dhe militantët islamikë në veriperëndim të tij. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Në muajin gusht, të paktën 73 persona u vranë në provincën Balochistan pasi militantët separatistë sulmuan stacionet e policisë, linjat hekurudhore dhe autostradat.
Sulmet në gusht ishin më të përhapurit në vite nga militantët që luftonin me anë të kryengritjeve prej dekadash për të fituar shkëputjen e provincës jugperëndimore të pasur me burime, e cila vitet e fundit ka tërhequr investimet ekonomike të Kinës. (A2 Televizion)