
Një fond privat prej 300 miliardë dollarësh, i ideuar për të nxitur investimet në Iran parashikohet në marrëveshjen kornizë mes SHBA dhe Irani, dhe më shumë se gjysma e kësaj shumë është grumbulluar tashmë. Kështu pretendon një burim me dijeni të drejtpërdrejtë mbi çështjen, për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Fondi është menduar për t'u dhënë të dyja palëve një nxitje ekonomike që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për fundin e luftës," tha burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, pasi plani ende nuk është bërë publik ndërsa Uashingtoni dhe Teherani po përgatiten ta nënshkruajnë marrëveshjen të premten.
Ekzistenca e fondit është raportuar edhe më parë, por Reuters zbulon për herë të parë se më shumë se gjysma e shumës së parashikuar është mbledhur tashmë dhe se fondi do të përbëhet tërësisht nga kapitali i sektorit privat. Sipas burimit, kapitalet e angazhuara deri tani do të orientohen drejt energjisë, logjistikës, industrisë prodhuese dhe transportit.
Një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani kishte kërkuar fillimisht 400 miliardë dollarë kompensim për dëmet e luftës, por kërkesa ishte refuzuar nga Uashingtoni. Si kompromis, palët konceptuan krijimin e një mekanizmi të ri financiar, të quajtur "Fondi për Rindërtim dhe Zhvillim".
Megjithatë siç thuhet, fondi nuk do të krijohet apo bëhet operacional deri sa një marrëveshje e kënaqshme përfundimtare të arrihet.
Administrata Trump pritet të publikojë tekstin e marrëveshjes para të premtes, edhe pse po përpiqet të minimizojë e gjuhës së përdorur atje. Zyrtarët e përshkruan tekstin e marrëveshjes si jashtëzakonisht të paqartë, kryesisht i menduar për të krijuar një mjedis më të favorshëm për bisedimet teknike dhe të drejtpërdrejta që do të zhvillohen më pas. Ata shtuan se ky kuadër synon t’i japë Iranit mundësinë që ta paraqesë marrëveshjen si të pranueshme politikisht për audiencën e brendshme. (A2 Televizion)