Ferr nga flakët në Spanjë: Digjen 260 mijë hektarë pyll, evakuohen me urgjencë 1.200 banorë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2026, 16:49 | Bota

Ferr nga flakët në Spanjë: Digjen 260 mijë hektarë

Një situatë kritike po përjetohet në Spanjën qendrore, ku një zjarr pyjor i shpërthyer pranë Madridit ka marrë përmasa katastrofike. Deri më tani, flakët kanë shkatërruar mbi 260 mijë hektarë pyll në rajonin e Guadalajara-s, duke vënë në alarm të kuq autoritetet vendase.

Zjarri, i cili fillimisht nisi në fshatin Mierla (Castilla-La-Mancha), është përhapur me shpejtësi ekstreme orët e fundit. Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të 28 vendbanimeve, duke larguar nga shtëpitë e tyre më shumë se 1.200 banorë.

Operacioni për shuarjen e flakëve vijon pa ndërprerje nga ajri dhe toka. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për viktima apo të lënduar nga fronti i zjarrit.

Gjendja mbetet mjaft shqetësuese, pasi meteorologët parashikojnë ardhjen e një vale të re të nxehti afrikan që do të godasë Spanjën gjatë ditëve në vijim, çka mund të përkeqësojë edhe më tej betejën me zjarrin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos