Frikë për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, Irani: Izraeli i ka kaluar vijat e kuqe

Nga A2 CNN
29 Tetor 2023, 15:52 | Bota
Frikë për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, Irani:

"Krimet e regjimit zionist i kanë kaluar vijat e kuqe.

Ky është qëndrimi më i fundit i shprehur nga Presidenti iranian Ebrahim Raisi, në një postim në platformën X, ku ai thekson se vendi i tij nuk e merr seriozisht thirrjen e fundit të SHBA-ve drejtuar kombeve të tjera që të përmbahen nga përfshirja në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

Raisi paralajmëroi se zhvillimet e fundit në dhe rreth Gazës “mund t'i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime”, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ai vuri në dukje se SHBA-të ndërkohë që iu kërkojnë shteteve të tjera të përmbahen, vazhdojnë t'i japin mbështetje të gjerë Izraelit.

Qëndrimi i Presidentit iranian, vjen dy ditë pasi ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian paralajmëroi në një intervistë me Bloomberg TV se “gjakderdhja e vazhdueshme në Gaza do të bëjë që situata të dalë jashtë kontrollit në rajon”.

Pala amerikane duhet të vendosë - a dëshiron vërtet të përshkallëzojë dhe intensifikojë luftën? Shfaqja e fronteve të reja kundër Izraelit është e pashmangshme”, tha kryedilpomati iranian.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten, Amir-Abdollahian lëshoi paralajmërime të ngjashme, duke thënë se SHBA-të “nuk do të kurseheshin nga ky zjarr nëse gjenocidi i Izraelit kundër popullit palestinez vazhdon”.

Ky intensifikim i deklaratave të ashpra vjen në një kohë kur Presidenti i SHBA, Joe Biden, është zotuar se Amerika do të "qëndrojë përgjithmonë me Izraelin”, ndërsa Uashingtoni ka vendosur dy grupe aeroplanmbajtëse, skuadrilje avionësh luftarakë F-16, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe 900 trupa në Lindjen e Mesme.

A2 CNN Livestream

A2 Sport