Luftë për Ramazan! Netanjahu i thotë JO shtetit palestinez, Izraeli sulmon jugun e Gazës në muajin e shenjtë

Nga Xhevahir Qardaku
19 Shkurt 2024, 19:57 | Bota

Luftë për Ramazan! Netanjahu i thotë JO shtetit palestinez,

Paqe në Gaza duket se nuk do të ketë as për muajin e shenjtë të Ramazanit. Izraeli ka përcaktuar pikërisht këtë periudhë sakrifice për myslimanët, për nisjen e ofensivës tokësore në Rafah, në jug të enklavës palestineze.

Ministri Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës, paralajmëroi se kjo do të ndodhë nëse Hamasi nuk liron pengjet izraelite. Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në "mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile".

Izraeli synon ta zgjerojë luftën tokësore deri brenda qytetit Rafah, ku janë strehuar mbi 1 milion palestinezë nga lufta. Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka filluar të bombardojë Rafahun, i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin. Raportohet për dhjetëra persona të vrarë, shumica civilë, ndërsa për mediat kjo shifër shkon mbi 70 të vdekur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pranuar kërkesën për të kufizuar hyrjen e myslimanëve në tokën e shenjtë ku ndodhet Xhamia Al-Aksa përgjatë muajit të Ramazanit. Kjo pritet që të shtojë edhe më shumë tensionet në vend.

Menjëherë ka ardhur një reagim nga Hamasi që dënon ashpër vendimin izraelit, duke e konsideruar atë një shkelje të lirisë së besimit dhe kërkon që myslimanët të mobilizohen për të marshuar drejt xhamisë Al-Aksa.

Ndërkohë, qeveria izraelite ka miratuar njëzëri rezolutën e paraqitur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, e cila rithekson kundërshtimin e Izraelit ndaj çdo njohjeje të njëanshme të shtetit palestinez. Kjo vjen në kundërshtim të plotë të këshillave Amerikane, që kanë nisur lobimin për krijimin e një shteti Palestinez.

Ndërkohë, në Gaza bilanci tragjik I viktimave ka shkuar në mbi 29 mijë. Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se spitali Nasser në Gaza nuk funksionon më pas bastisjeve izraelite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos