“Mori vendime që kënaqën armiqtë tanë”, Netanjahu shkarkon ministrin e Mbrojtjes

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2024, 19:38 | Bota

“Mori vendime që kënaqën armiqtë tanë”,

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një lëvizje surprizë ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.

Vendimin e marrë sot, ndërkohë që bota është me sy e vesh nga zgjedhjet amerikane, është njoftuar nga mediat izraelite.

Zëvendësuesi i Gallant do të jetë ministri i Jashtëm, Israel Katz, ndërsa ministri pa portofol Gideon Saar do të marrë përsipër të jetë kryediplomati i ri i Tel Avivit.

Të dy burrat nga partia Likud, kishin një marrëdhënie të vështirë politike dhe ishin për arsye të ndryshme çdo herë në konflikt edhe në mes të luftës pasi Hamasi pushtoi Izraelin më 7 tetor 2023.

“Fatkeqësisht, megjithëse në muajt e parë të luftës kishte besim dhe punë shumë të frytshme, në muajt e fundit ky besim u prish mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes”, tha Netanjahu.

Ai shpjegon se me Gallant nuk janë pajtuar për menaxhimin e luftës dhe se ministri i shkarkuar ka marrë vendime dhe ka bërë deklarata që janë në kundërshtim me vendimet e kabinetit.

“Unë bëra shumë përpjekje për të kapërcyer këto boshllëqe, por ato po bëheshin gjithnjë e më të mëdha”, sqaron kryeministri izraelit dhe thotë se “ato u bënë të njohura për opinionin publik në një mënyrë të papranueshme dhe çka është më e keqja u bënë të njohura edhe për armikun”.

“Armiqtë tanë e shijuan atë dhe morën shumë përfitime prej saj”, nënvizoi Netanjahu teksa shprehet ndër të tjera se shumica e anëtarëve të qeverisë janë dakord me të.

Në deklaratën e tij, kryeministri izraelit ndër të tjera thekson se “angazhimi im më i madh si kryeministër është ruajtja e sigurisë së Izraelit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos