Netanjahu kërkon kontrollin e kufirit me Egjiptin, OKB: 40% e popullsisë në Gaza nuk ka ushqim

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2023, 08:56 | Bota

Netanjahu kërkon kontrollin e kufirit me Egjiptin, OKB: 40% e

Situatë tepër e vështirë në Gaza, tashmë që lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në ditën e 86 të saj.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë paralajmëron se më shumë se 40% e popullsisë në Gaza është e pamundur të sigurojë ushqim dhe në rrezik serioz të vuajë nga uria.

Drejtori i kësaj agjencie, Tom White ka ndarë në rrjetet sociale një video ku shfaqet një numër i madh njerëzish që rrethojnë kamionët me ndihma në Gaza, për të rrëmbyer prej tyre ushqimet.

“Ka nevoja emergjente për furnizime të rregullta dhe akses humanitare kudo në Gaza, përfshirë dhe pjesën veriore”, shkruan White.

Ndërkohë, kryeministri Netanjahu deklaron se ka refuzuar të gjitha presionet nga jashtë për vendosjen e një armëpushimi në Gaza. Ai insiston se bisedimet për ndalimin e luftimeve me fraksionin e militantëve të Hamasit do të nisin vetëm pasi të lirohen të gjitha pengjet.

Lideri izraelit shtoi se lufta në Gaza do të zgjasë për muaj të tërë, teksa tregoi dhe një objektiv që nuk ishte shprehur më herët, se synimi i Izraelit është të marrë kontrollin dhe të zonës kufitare mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

Nga fronti i luftimeve vijnë lajme se ushtria izraelite bombardoi gjatë natës një zonë rezidenciale në Zaëaida, ku sipas raportimeve të paktën 12 persona humbën jetën.

Ndërkohë, luftanijet amerikane Uss Gravely dhe Uss Laboon kanë rrëzuar dy raketa të lëshuara nga rebelët houthi në Detin e Kuq. Një anije mallrash kishte kërkuar ndihmë teksa kalonte në zonë dhe për këtë arsye ndërhyrja amerikane shmangu një sulm tjetër që kishte si synim të ndalonte transportin ndërkombëtar.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos