
Forcat e armatosura britanike kanë ndaluar dhe hipur për herë të parë në një cisternë nafte të flotës së ashtuquajtur “hije” të Rusisë, gjatë kalimit të saj në Kanalin Anglez.
Operacioni, që zgjati rreth gjashtë orë, u krye nga komandot e Marinës Mbretërore dhe agjentë të Agjencisë Kombëtare të Krimit, me mbështetjen e Forcave Ajrore Britanike.
Anija Smyrtos, e sanksionuar më parë për transportin e naftës ruse, do të mbahet nën monitorim pranë bregdetit jugor të Anglisë ndërsa vazhdojnë hetimet. Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se aksioni është një goditje tjetër ndaj Rusisë dhe një mesazh për ata që ndihmojnë financimin e luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë.
Sipas autoriteteve britanike, “flota hije” përbëhet nga qindra anije që përdoren për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj eksporteve ruse të naftës. (A2 Televizion)