Pas disa muajsh hezitim e mosmarrëveshje politike, që la me frymën pezull Kievin, senati amerikan i dha dritën jeshile paketës së shumëpritur 95 miliardë dollarëshe me ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Teksa demokratët e mbështesin paketën, republikanët ishin të ndarë dhe e kishin rrëzuar disa herë. Në të përfshihen 60 miliardë dollarë ndihma për Kievin, 14 miliardë për luftën e Izraelit kundër Hamasit dhe 10 miliardë për ndihma humanitare në zonat e konfliktit, përfshirë në Gaza.
Dhoma e lartë e kongresit amerikan e aprovoi paketën me 70 vota pro dhe 29 kundër. Projektligji do të shkojë tani në dhomën e përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, ku fati i tij mbetet i pasigurt.
Paketa mori dritën jeshile në senat pavarësisht kritikave nga kryetari i dhomës së përfaqësuesve, Mike Johnson, dhe ish presidenti Donald Trump. Në fund, 22 republikanë e mbështetën projektligjin, përfshirë liderin e pakicës në senat, Mitch McConnell. Presidenti ukrainas Zelensky, u shprehu mirënjohjen e tij të thellë senatorëve.
(A2 Televizion)