"Nuk është njohje e pavarësisë". Nga janari, Serbia lejon lëvizjen e automjeteve me targat RKS

Nga Rosalba Bejdo
26 Dhjetor 2023, 10:32 | Aktualitet

Automjetet me targa të Republikës së Kosovës, RKS, do të lejohen të lëvizin në territorin e Serbisë nga janari i vitit të ardhshëm. Vendimi i qeverisë serbe u bë publik nga shefi i zyrës për Kosovën në ekzekutivin e Beogradit, Petar Petkoviç, i cili tha se në këtë mënyrë po respektonin marrëveshjen e arritur në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësim të lëvizjes së automjeteve për serbët e Kosovës.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës që lëvizin në territorin e Serbisë me targa të Kosovës, e mbulojnë atë me letër ngjitëse: “Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”. 

Petkoviç këmbënguli se kjo asesi nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës: “Le të negociojmë dhe të diskutojmë në drejtim të kompromisit, por në asnjë mënyrë njohje apo anëtarësim i Kosovës në OKB."

Autoritetet serbe thanë se do të vendosin njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Sakaq, më 15 dhjetor skadoi afati i fundit për banorët serbë në veri të Kosovës që të zëvendësojnë targat e makinave të tyre të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 4200 janë me targa të reja, ndërsa shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre në Serbi dhe lejohen t'i përdorin ato edhe në Kosovë, sikurse targat e çdo vendi tjetër të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos