Edhe pse janë qytetarë të Kosovës, serbët në veri të Mitrovicës refuzojnë të festojnë Ditën e Pavarësisë të shtetit ku jetojnë, Kosovës.
Shumica prej tyre kanë thënë për KosovaPress, se nuk janë në dijeni e as që ju intereson, ndërsa të tjerët edhe pse e dinë, nuk duan të festojnë.
Dushan Millosavleviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se ka festuar para dy ditësh përvjetorin e shtetësisë së Serbisë.
Sipas tij, shtetësia e Serbisë është shkatërruar në Kosovë, kështu që në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që edhe serbët e këtushëm ta festojnë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk e di vërtetë, tani po dëgjoj, nuk e festoj… Ditën e shtetësisë të Serbisë po… Është duke shkuar në këtë drejtim (që serbët e këtushëm një ditë ta festojnë pavarësinë e Kosovës v.j.). Marrë në tërësi shtetësia e Serbisë këtu është shkatërruar, kështu që me siguri (një ditë do të festojnë edhe serbët)”, ka thënë Millosavleviq.
Cvetko Bozhinoviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, theksoi se dita e sotme për të është si çdo ditë tjetër dhe nuk i intereson fare nëse është festë ose jo. Ai shtoi se serbët kurrë nuk do ta festojnë një festë të tillë.
Edhe Peroviq, qytetar nga Zubin Potoku, tha se dita e sotme është ditë e zakonshme për të dhe asgjë më shumë.
Ndryshe, në këtë komunë përveç seancës solemne që u mbajt për nder të Ditës së Pavarësisë, nuk pati aktivitete tjera, ndërsa nëpër rrugët e qytetit përveç flamujve serbë, munguan flamujt shtetërorë të Kosovës për t’i dhënë të paktën kuptim qoftë simbolik kësaj feste./REL (A2 Televizion)