Konferenca rajonale 2 ditore në Prishtinë, “Të bashkuar kundër dhunës, Mjaft” nisi me një minutë heshte në homazh të Liridona Ademaj, 33-vjeçarja që u vra pak ditë më parë gjatë një grabitje të inskenuar.
Një ditë pas rivarrosjes së saj në fshatin e lindjes, mes dyshimeve se vrasja u porosit nga bashkëshorti, kryeministri Albin Kurti kërkoi zbardhjen e plotë të rastit dhe dënim maksimal për autorët. Butësia e dënimeve sipas tij, po shkakton përsëritjen e këtyre ngjarjeve.
“Zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal. Rastet e rënda si këto nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë para dhunës së përhapur gjinore. Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje”, tha kryeministri.
Kurti po risolli në kujtesë se disa mes krimeve më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ishin dhunimi i grave dhe vajzave nga forcat serbe, në disa raste edhe në prani të familjarëve. Duke përmendur edhe rastin e 14 vjeçares së vrarë ne Shkup, Kurti bëri thirrje për dënime meritore.
“Është fakt që dhuna e grave është fenomen global, e i lidhur edhe me valën në ngritje te ekstremit të djathtë, megjithatë është një dozë edhe më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet në një shoqëri edhe pas mbijetimit të gjenocidit. Kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe të jap dënime të merituara për dhunuesit e kriminelet. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit, vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike. Është koha e fundit të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku”, shtoi Kurti.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se presin dënimet më maksimale për vrasësit e Liridona Ademaj, ndërsa, Iris Luarasi, ish-kryetarja e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tha se ajo ishte insutrumenti ligjor më i drejtë kundër fenomenit. (A2 Televizion)