Qeveria e Serbisë do të ndajë nga 170 euro, ose 20 mijë dinarë ndihma, për 5 mijë serbë në Kosovë. Vendimi do të zbatohet nga 1 shkurti, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Ky veprim i Beogradit zyrtar, që i ka dhënë publikisht mbështetje Listës Serbe, shihet si një përpjekje për të blerë vota pikërisht për këtë parti politike, për të cilën thuhet se ka humbur besimin e serbëve të Kosovës.
“Është një blerje e pastër e votës, dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme dhe me gjasë pas disa matjeve të cilat tregojnë qartë që numri prej 10 vendeve të rezervuara të cilën e kanë pasur Lista Serbe me gjasë nuk mund të kenë për shkak se të paktën dy nga këto vende mund t’i fitojnë partitë e tjera”, u shpreh Valdet Hoxha, ish-zv/ministër i Brendshëm.
Përpos kësaj skeme financimi, një tjetër organ shtetëror në Serbi i njohur si Komisariati për Refugjatë dhe Migrim ka ftuar serbët që kanë të drejtë vote në Kosovë të votojnë ndërsa për transportin deri në qendrat e votimit do të kujdeset ky komisariat.
“Për shkak se humbja në terren e fuqisë së tyre atëherë ata i shtyjnë që të gjejnë metoda të ndryshme për rikthimin e fuqisë së tyre tek masat, të ruajnë manipulimin e masës përderisa në të kaluarën shpërndarja e parave dhe kërcënimeve është bërë në formë më të lehtë tani duhet të gjejnë forma alternative dhe më të specializuara”, deklaroi Gurakuç Kuçi nga Instituti OCTOPUS.
Komuniteti serb ka dhjetë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në garë në zgjedhjet e 9 shkurtit janë gjashtë subjekte politike serbe.
Beogradi zyrtar është i interesuar që Lista Serbe të fitojë të gjitha ulëset siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit për interesa të saj.
“Ata tashmë vetëm e kanë humbur dhe nuk e kanë fuqinë e njëjtë tek serbët që e kanë patur në Kosovë dhe ata janë duke ndjerë rrezikun vazhdimisht sepse Serbia e shtrin ndikimin e saj në institucionet e Kosovës nëpërmjet Listës Serbe”, theksoi Kuçi.
Në legjislaturën e fundit, Lista Serbe bojkotoi të gjitha punimet e Kuvendit ndërsa deputetët e saj ktheheshin në Kuvend çdo 6 muaj për të ruajtur mandatet. Kjo parti është cilësuar nga Qeveria aktuale e Kosovës si kriminale për shkak se shumë anëtarë të saj, përfshirë Milan Radoiçiç akuzohen për vepra të rënda kundër shtetit të Kosovës. (A2 Televizion)