Në Kosovë, analistët po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë skenarin e zgjedhjeve të reja të parakohshme dhe për këtë, shkak është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Sipas analistëve, themelimi ose refuzimi i Asociacionit është barrë e rëndë për kryeministrin Albin Kurti, ndaj në fillim të vitit 2024 mund të priten zgjedhje të parakohshme në vend.
Artan Muhaxhiri shprehet: “Asociacioni është shndërruar në një element të patejkalueshëm dhe çdo humbje kohe në realizimin e tij shkon në dëm të qeverisë dhe shtetit të Kosovës, sepse nënkupton izolimin. Kurti është në pozitë të palakmueshme, pasi si opozitar ka qenë kundërshtari më i madh i Asociacionit, ndërsa si kryeministër e ka kuptuar se nuk e bllokon dot procesin”.
Ndërsa Dritëro Arifi theksoi: “Qeveria e ka deligjitimuar veten me pranimin e Asociacionit. Nuk është gjë e keqe, por tani duhet ta kërkojë votën për deligjitimim”.
Edhe skenari tjetër, ai i mospranimit të Asociacionit, apo edhe mosthemelimi i tij, do të sillte vetëm izolimin e Kosovës. Së fundmi, Albin Kurti ka ofruar edhe mundësinë që vitin e ardhshëm ta shkruajë vetë një draft modern europian. Në përgjigjie të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës. Kësisoj, edhe Kurti tha se mund ta shkruajë ai draftstatutin, në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiç dhe Elbert Krasniqi. (A2 Televizion)