Procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në daljen e parë publike për mediat, i cili bëri të ditur se materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë me sukses në të gjithë territorin.
“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Nga informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit”, u shpreh ai.
Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, KQZ ka funksionalizuar një dhomë operative, e cila funksionon me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. Sipas Elezit, kjo strukturë do të monitorojë procesin e votimit dhe do të sigurojë koordinimin institucional për trajtimin e çdo raportimi apo problematike të mundshme.
“Në kuadër të angazhimit për administrimin e rregullt të procesit zgjedhor, KQZ ka funksionalizuar dhomën operative, e cila funksionon me pjesëmarrjen e anëtarëve të KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. Përveç kësaj, monitorohet procesi gjatë votimit dhe sigurohet koordinimi institucional për trajtimin e çdo raportimi”, tha ai.
Sipas Elezit, procesi ka nisur rregullisht në 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2.498 vendvotime janë për votim të rregullt, ndërsa 38 qendra janë caktuar për votimin me kusht.
Ai njoftoi gjithashtu se nga ora 09:00 ka nisur mbledhja e statistikave të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, të cilat do të publikohen çdo dy orë.
Në këto zgjedhje garojnë 21 subjekte politike, përkatësisht 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur, me një total prej 902 kandidatësh. Ndërkohë, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë është 1.959.962. (A2 Televizion)