Përfaqësuesja Shpresa nis punën për edicionin e ri. Rindërtimi i ekipi do të fillojë me miqësoret ndaj Maltës, në datat 16 dhe 19 nëntor.
Një brez i ri ka zënë vendin e ekipit të kualifikueseve të kaluara, edhe pse më tepër se gjysma e lojtarëve kanë qenë pjesë e skuadrës kuqezi.
“Lista nuk mund të them që është e re, por ka shumë emra të rinj, sepse datëlindja ‘96-‘97 nuk merr pjesë për shkak të moshës. Kemi lënë disa lojtarë nga kampionati shqiptar, por dua të provoj lojtarë të rinj. Malta është kundërshtar modest, por edhe ne jemi modestë. Vetëm përfaqësuesja e Maltës na ktheu përgjigje pozitive për këto miqësore”, shprehet Bushi.
Skuadra e 21-vjeçarëve do të mbetet në kërkim të lojtarëve të rinj për t’u përforcuar, me alternativat që nuk mungojnë.
Trajneri foli edhe për kontratën në krye të Shpresave, e cila i përfundon pas pak javësh, me rikonfirmimin, që ende nuk ka ardhur. Bushi theksoi se Malta mbetet një kundërshtar modest, por ishte i vetmi kundërshtar që pranoi ftesën për ndeshje miqësore përpara pesë muajve dhe pavarësisht emrit që ka përballë skuadra e tij do të kërkojë fitoren. (A2 Televizion)