Detaje të reja dalin në lidhje me arrestimin në Janinë të shumëkërkuarit për vrasje Laert Haxhiu, i njohur ndryshe dhe si rivali i Aldo Bares.
Në momentin e arrestimit, Haxhiu shoqërohej nga dy persona të tjerë, po shqiptarë, një prej të cilëve i kërkuar dhe nga drejtësia e vendit tonë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Firdeus Berberi, 22 vjeç, lindur në Pogradec, ishte i shpallur në kërkim kombëtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë për plagosje të rëndë me dashje.
Më 25 prill të vitit 2022, Firdeus Berberi dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka plagosur rëndë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. M.
Menjëherë autoritetet kanë nisur procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri.
Një ditë më parë autoritetet greke arritën të arrestonin të shumëkërkuarin Laert Haxhiu në një operacion që ngjasonte me ato të filmave.
Mjeti ku udhëtonte Haxhiu dhe dy personat e tjerë nuk iu bind urdhrit të policisë greke për të ndaluar dhe gjatë ndjekjes ai përplasi dhe 3 makina të tjera.
Arrestimet arritën të kryheshin vetëm pasi makina u bllokua në një zonë me trafik. (A2 Televizion)