Ish-drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, ka shpjeguar në studion e Debatit në A2 CNN deklaratat e Belind Këlliçit, sipas të cilit janë zhdukur prova nga dosja për inceneratorin e Tiranës, për të shmangur Erion Veliajn. Sipas Imerajt, për sa kohë që çështja është në hetim nuk mund të thuhet që provat janë zhdukur.
“Për aq kohë sa ka disa persona që janë të dyshuar, pjesë e dosjes, janë ato akte që i atribuohen veprimtarisë së tyre. Për sa kohë është çështje në hetim, kjo nuk do të thotë që këto akte që ju keni dorëzuar të mos jenë pjesë e dosjes. Nuk ka pse të hyjë sot SPAK dhe një prokuror që të argumentojë një shkresë të kryetarit të bashkisë kur si përson nën hetim është marrë një person i cili ka kryer një veprim konkret. Masat e fundit lidhen me persona konkretë dhe i është atribuar një vepër penale konkrete si e dyshuar, Në këto kushte për aq kohë sa ka një hetim dhe që këta persona janë të dyshuar, nuk themi dot që këto prova as nuk janë analizuar, as nuk janë pjesë e dosjes, apo nuk janë administruar”.
Imeraj thekson se çështja e inceneratorit të Tiranës duhet të hetohej si një e tërë, për të shmangur këto interpretime.
“Në rangun juridik ajo që unë mendoj çështaj duhej të hetoje si një e tërë. Çdo prokuror në detyrën e vet është i pavarur në detyrën e tij. Rasti i çështjes zv.kryeministrit është nën hetim nga dy prokurorë te tjerë. Rasti konkret është në hetim nga një prokuror tjetër dhe nuk mund të themi që ky prokuror i dytë të ketë qasje të njëjtë siç kishin edhe dy prokurorët e tjerë, njehsimi i dosjes do shmangte këto interpretime”.
Imeraj thekson se gjykata bazohet në ato prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për çdo individ të hetuar.
“Jo çdo herë vendimi i gjykatës është kaq i detajueshëm për të evidentuar çdo detaj që prokuroria ka sjellë në gjykatë. Gjykata bazohet në ato prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për çdo individ të hetuar”. (A2 Televizion)