Në kishën që e ringriti dhe i kushtoi një pjesë të mirë të jetës, arkëmortin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos e pritën me qindra besimtarë.
Nderimet e para në tokën shqiptare iu bënë në jug të vendit, e mandej kortezhi u nis drejt Tiranës ku mbërriti pak para orës 16 të së martës.
Me lule ndër duar besimtarët shprehën keqardhje për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, ndërsa çmuan kontributin që ka dhënë për kishën ortodokse dhe tolerancën fetare, shkruan A2 CNN.
Homazhet në Tiranë do të vijojnë edhe përgjatë të mërkurës ndërsa shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, pas Liturgjisë Hyjnore. Në ceremoni pritet të marrin pjesë drejtues të lartë të Kishës Ortodokse, zyrtarë te Shqipërisë, Greqisë dhe besimtarë të shumtë.
Me amanet të tij, Kryepeshkopi Anastas do të prehet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Për herë të parë në Shqipëri, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95vjeçare, mbërriti më 16 korrik 1991 dhe i shërbeu Kishës Ortodokse Autoqefale për mbi 30 vite. (A2 Televizion)