
Shërbimet zjarrfikëse të Kukësit dhe Prizrenit po zbatojnë një projekt të përbashkët ndërkufitar që synon parandalimin e përhapjes së zjarreve në zonën e gjelbër përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në kuadër të projektit parashikohet rikthimi në funksion i një brezi ndarës të gjelbër me gjatësi 5.4 kilometra, në zonën e ish-klonit kufitar. Në këtë hapësirë do të kryhet pastrimi i bimësisë së thatë në një gjerësi prej rreth 6 metrash, duke krijuar një brez mbrojtës që do të shërbejë si barrierë ndaj përhapjes së flakëve nga njëri territor në tjetrin.
Komandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prizren, Flamur Hoti, bëri të ditur se projekti është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes strukturave zjarrfikëse të dy qyteteve.
Sipas tij, përveç koordinimit institucional, ekipet e Kukësit dhe Prizrenit kanë bashkëpunuar edhe gjatë ndërhyrjeve për shuarjen e zjarreve në zonën kufitare, shkruan A2CNN.
Hoti u shpreh se gjatë vitit të kaluar zjarrfikësit e Prizrenit morën pjesë në fikjen e tre vatrave të zjarrit në brezin kufitar, ndërsa gjatë këtij viti deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i tillë.
Projekti mbështetet edhe nga bashkëpunimi institucional mes Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, të cilat prej vitesh bashkërendojnë veprimet për menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen nga zjarret. (A2 Televizion)