“Shtëpi të përmbytura dhe kanale jashtë funksioni”, prefekti i Durrësit flet për situatën nga reshjet

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 12:19 | Aktualitet

Shtëpi të përmbytura dhe kanale kulluese të dala jashtë funksioni. Është kjo situata në njësitë administrative, Sukth, Manzë e Ishëm e raportuar për A2 CNN nga prefekti i Qarkut të Durrësit, Emiljano Jani. Gjatë inspektimit në terren në këto zona ai bëri të ditur për gazetaren e A2 CNN Elitjona Doko se strukturat e emergjencës po punojnë për të normalizuar situatën.

“Bashkia e Durrësit nuk ka problematikë në qytet, por kemi një njësitë administrative Sukth, Manzë e Ishëm. Sapo inspektova zonën e Ishmit në një fshat që kemi pasur probleme me rrjedhjet e ujërave nga pjesa e kodrës. Ishin dy kanale që  kishin dalë jashtë funksionit për arsye të mbeturinave dhe papastërtive. Nga strukturat e emergjencave civile u morën masa dhe vijon puna për normalizimin e tyre. Këtu jemi në Hamallaj që ka probleme me disa zona  e shtëpi të përmbytura. Jemi drejt normalizimit, po pastrohen. Janë ekipet e emergjencave që po pastrojnë kanalet”, tha ai për A2 CNN.

Jani theksoi se aktualisht situata e lumenjve në këtë qark është në kuota normale dhe nuk ka probleme.

“Lumenjtë janë në kuota normale, nuk kemi probleme. Jemi drejt noralizimit të situatës”.

Ndërkohë një banore e zonës fajësoi qytetarët që nuk marrin masa për pastrimin e kanaleve, ndërsa shteti sipas saj duhet të ndërrojë tubacionet që kanë që prej kohës së komunizmit.

“Edhe populli vetë ka faj se pusetën ta pastrojë vetë, ta kontrollojë. kam rritur 4 fëmijë këtu dhe asnjëherë nuk ka qenë ky ujë. Nuk kujdesen. Në kohën e Enver Hoxhës asnjëherë asnjë pikë ujë nuk kishte. këto kamionët që kanë bërë vilat në bregdet i hodhën në tokë tubat. Është bërë më keq. Unë e kontrolloj vetë pusetën te shtëpia ime. Nuk do të vijë shteti të na pastrojë shtëpitë. Duhet të kujdesemi edhe vetë. Shteti të heqë të gjitha tubat se kanë që në kohën e Enver Hoxhës. Kjo është hera e parë që përmbyten kështu”, tha banorja për A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos