
Ditën e nesërme është thirrur një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, kundër projekt-ligjit për ‘Barazinë Gjinore’.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se protesta do të mbahet para se të nisë shqyrtimi i projekt-ligjit në Parlament, shkruan A2 CNN.
Protesta është thirrur nga ‘Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës’ dhe do të mbahet në orën 09:30 të mëngjesit.
Moto e protestës është mbrojtja e familjes, fëmijëve dhe jetës, që sipas aktivistëve, me projektligjin e ri vihen në rrezik.
Njoftimi:
Nesër përpara Kuvendit të Shqipërisë!
Së bashku për fëmijët, familjen, atdheun!
Ju ftojmë të na bashkoheni nesër, ora 09:30, në një tubim paqësor përpara Kuvendit të Shqipërisë, te rruga e Elbasanit!
Nesër Kuvendi i Shqipërisë do të sjellë për votim, projektligjin antikombëtar, antifamilje dhe antifëmijë, Projektligjin Për barazinë gjinore!
Për shkak të një krimi kundër traditës shqiptare, ndryshimit me dhunë të nocioneve burrë-grua, tradhëtisë që Parlamenti ka bërë ndaj qytetarëve shqiptarë, duke futur për votim këtë projektligj që kërcënon fëmijët, familjet dhe kulturën shqiptare, duhet të mblidhemi së bashku!
Është koha të qëndrojmë për familjen!
Është koha të qëndrojmë për fëmijët!
Është koha të qëndrojmë për atdheun!
PS: Nëse është e mundur, kodi i veshjes nesër me të zeza, sepse është vërtet ditë zie kombëtare!
Ju lutem, ndajeni këtë postim me miqtë tuaj! (A2 Televizion)