Jo vetëm turistë të maleve dhe të bregdetit. Në 2024 është shtuar edhe më shumë numri i turistëve që preferojnë të vizitojnë zonat e mbrojtura.
Në qytete historike e kulturore, parqe kombëtare e natyrore, rreth 3,8 milionë shqiptarë e të huaj vizituan këto site nga janari deri në muajin gusht, shkruan A2 CNN.
“Vetëm në zonat e mbrojtura kemi numëruar për këtë periudhë 3,8 milionë vizitorë. Për ne janë vizitorë. Por, kur e shohim nga ana e biznesit janë klientë të cilët hyjnë e dalin në të gjithë ekonominë, hotelet, bizneset, karburantet, marketet, produktet tradicionale”.
Numri i turistëve në këto zona krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është rritur me 18%. Sipas Kumbaros, ky numër do të përkthehet edhe në më shumë përfitime për sektorin e turizmit duke ia kaluar dhe 4,2 miliardë në 2023.
Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, u shpreh: “Në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2,8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4,2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi.”
Nga takimi me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ministrja Kumbaro tha se turizmi i qëndrueshëm do të jetë një realitet në 2025. (A2 Televizion)