Jo vetëm votën, por edhe paratë, qeveria përpiqet të joshë diasporën me anë të “Paketës së Maleve”

Nga A2 CNN
17 Janar 2025, 16:51 | Ekonomi

Heqje e taksës mbi pronën e infrastrukturën bashkë me përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ai nga të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë qytetarët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri.

“Paketa e maleve është një projektligj që synon zhvillimin e zonave malore. Qëllimi natyrisht është i shumëfishtë. Sigurisht që është nxitja e këtyre zonave që do të shpallen me prioritet zhvillimi. Por jo vetëm kaq. Është gjithashtu edhe diversifikimi i portofolit të turizmit në Shqipëri i cili momentalisht është i kufizuar në 4-5 muaj dhe kryesisht në zonat bregdetare”, shprehet zv.ministri Duma.

Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë.

Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një pozitive nga pas. Një pjesë e  tyre pritet të sjellin paratë e grumbulluara në emigrim për t’i investuar në vendlindje. 

“Një nga synimet kryesore është tërheqja e investimeve të huaja. Në këtë rast nga diaspora. Jo vetëm kaq. Synimi është edhe përthithja e eksperiencave të mira që diaspora në vendet që jeton dhe punon. Shumë prej tyre janë sipërmarrës të suksesshëm në shtet ku punojnë dhe jetojnë”, shton Duma.

Po si do të përcaktohet një zonë që do t’u jepet për çmimin simbolik “1 euro” investitorëve? Çfarë kushtet duhet të përmbushë ajo dhe a preket nga projektligji i gjithë territori i vendit?

“Le të themi që nuk është një ligj universal për të gjitha zonat malore. Ligji prek vetëm zonat me përparësi zhvillimi e që përcaktohen nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor nëpërmjet kërkesave të marra dhe të argumentuara nga bashkitë që kanë zona malore në administrim”, thotë zv.ministri.

Përparësi për investime me anë të “Paketës së maleve” do të kenë ata individë që tashmë shfrytëzojnë këto zona. Ata që i kanë në përdorim prej më shumë se 10 vitesh, mund të blejnë këto prona me çmimin simbolik “1 euro”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural planifikon ndërkohë të çojë në 1 mijë nga 250 aktualisht numrin e agroturzimeve në vend deri në vitin 2030 si pasojë e investimeve në zonat malore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos