Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, tha në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN se rritja e turizmit dhe inflacioni po ndikojnë në uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pensionistëve.
Sipas saj, çmimet në vend mbeten relativisht të larta edhe për shkak të interesit në rritje të të huajve për të jetuar dhe investuar në Shqipëri, duke shtuar kërkesën për pasuri të paluajtshme dhe qira, veçanërisht në zonat bregdetare.
Radonshiqi tha se pensionistët shqiptarë nuk bëjnë dot as dy ditë pushime me nivelin e pensioneve në vend.
“Çmimet janë relativisht të larta sepse me zhvillimin e turizmit, kemi turistë që vijnë në Shqipëri, u pëlqen natyra, u pëlqejnë të punojnë, të investojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Kemi rastet e pensionistëve italianë, ku kjo ka rritur edhe kërkesën në zonat bregdetare për pasuri të patundshme, qira apo…Kjo ndikon edhe në rritjen e turizmit. Një pensionist italian e ka pensionin mbi pagën mesatare të Shqipërisë. Nëse ai ka mundësi edhe të kursejë, një pensionist shqiptar s’ka mundësi as të bëjë dy ditë pushime me pensionet që ka. Me zhvillimin e turizmit dhe këtë nivel inflacioni do të ulet fuqia blerëse dhe shumë qytetarë do të kenë problem edhe për produktet bazë, pra produktet e shportës”, u shpreh Radonshiqi. (A2 Televizion)