Shtetet duhet të ndërmarrin reforma strukturore, të mbajnë në kontroll borxhin publik, të thithin sa më shumë investime dhe të rrisin produktivitetin në tregun e punës. Janë këto disa nga rekomandimet e Bankës Botërore për qeveritë në botë, për t’i kaluar sa më lehtë ditët e vështira që duken në horizont.
Për t’i kaluar sa më lehtë ditët e vështira që duken në horizont, shtetet duhet të ndërmarrin reforma strukturore, të mbajnë në kontroll borxhin publik, të thithin sa më shumë investime dhe të rrisin produktivitetin në tregun e punës. Janë këto disa nga rekomandimet e Bankës Botërore për qeveritë në botë, me në fokus kryesor mbajtjen burimeve njerëzore dhe investime në teknologji për të përballuar sa më shumë krizën ekonomike që pritet të prekë të gjithë.
“Nëse qeveria arrin të kanalizojë fondet, duke ndërmarrë reforma dhe duke investuar në teknologji dhe digjitalizim do të bënte vërtetë një hap para. Do të reduktonte borxhin publik pasi do të kishte më shumë prodhim, dhe rrjedhimisht do mund të ndihmonte shtresat në nevojë siç Banka Botërore rekomandon”, u shpreh për A2 CNN pedagogu i ekonomisë Mikel Qafa.
Ritmet e zgjerimit ekonomik këtë vit do të jenë veçanërisht të ngadalta për vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, ndaj ato duhet të lëvizin shpejt drejt gjetjes së burimeve të tjera të rritës vlerëson Banka Botërore.
“Vetë Banka Botërore ka një sërë grantesh që mund t’i mundësojnë Shqipërisë të kalojë nga faza e prapambetur aktuale ekonomike drejt digjitales së avancuar që prodhon”, theksoi për A2 CNN, Qafa.
Për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore parashikon se Rritja ekonomike gjatë këtij viti do të mbesë në vendnumëro. Zgjerimi do të mbështetet nga rritja e konsumit, ulja e inflacionit, nga rimëkëmbja graduale në eurozonë, rritja e shpenzimeve publike për projektet infrastrukturore të financuara nga Bashkimi Europian dhe të ardhurat nga turizmi. (A2 Televizion)