485 kg “miell” Kolumbie i tretur në pleh, GJKKO i jep 14 vjet burg kimistit

Nga Armand Bajrami
30 Qershor 2026, 12:51 | Kronikë

Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me 14 vite heqje lirie kolumbianin Samir Rosales Rodrigues. 49-vjeçari, i akuzuar si kimisti i grupit kriminal që trafikoi nga Amerika Latine në Shqipëri kokainë të tretur në pleh organik artificial, u shpall fajtor për veprat penale të "trafikimit të lëndëve narkotike" dhe "grupit të strukturuar kriminal".

Vendimi ndaj Rodrigues u shpall në mungesë të tij nga Gjykata e Posaçme. Ndonëse ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë "arrest në burg", 49-vjeçari ende nuk ndodhet në duart e drejtësisë shqiptare.

Ai u arrestua për llogari të SPAK-ut në Kolumbi në shtator 2025, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, shkruan A2 CNN.

Samir Rosales Rodrigues u identifikua nga SPAK-u si një nga anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në trafikimin e rreth 485 kilogramëve kokainë kolumbiane. Sasia e drogës, e tretur në pleh organik artificial, u nis nga porti i Buenaventurës në Kolumbi, me tranzit në portin e Pireut në Athinë e më pas në portin e Tivarit, në Mal të Zi. Nga ky port, ngarkesa u transportua me rrugë tokësore drejt Frakullës së Madhe, në Fier.

Sipas SPAK-ut, Rodrigues ka lëvizur paralelisht me ngarkesën nga Kolumbia në Greqi, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke ngritur dyshime se ishte shoqëruesi i saj.

Dy javë para se ndaj tij të lëshohej një urdhër-arrest, në kuadër të një veprimi hetimor të SPAK-ut, një patrullë policie ndaloi automjetin ku ai u identifikua me pasaportën e tij kolumbiane, me identitetin e vërtetë. SPAK-u nuk procedoi me arrestimin e tij për të mos dekonspiruar hetimin, por pas lëshimit të urdhër-arrestit ai nuk u gjet më nga policia.

Dhjetë prej të bashkëpandehurve shqiptarë të Rodrigues janë gjykuar veçmas në dy shkallët e Gjykatës së Posaçme, ku janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me masa që variojnë nga 8 deri në 11 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos