AMP godet një aktivitet të lojërave të fatit në Fushë-Krujë, sekuestrohen kompjuterë dhe drogë

Nga A2 CNN
7 Korrik 2026, 16:14 | Kronikë

AMP godet një aktivitet të lojërave të fatit në

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) zhvilloi sot operacionin e koduar “Basti i Fundit” në një bar-kafe pranë “Tregut Fshatar”, afër Fushë-Krujës, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i paligjshëm i basteve sportive.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 4 kompjuterë, 4 monitorë, pajisje serverike dhe pajisje të tjera teknologjike që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Po ashtu, në ambientet e lokalit u gjetën dhe u sekuestruan 15 doza lëndë e dyshuar narkotike, me peshë totale 6.45 gramë.

AMP njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, si dhe për verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi apo përfshirjeje të punonjësve të Policisë së Shtetit ose subjekteve të tjera në këtë veprimtari të paligjshme.

Njoftimi i plotë

Goditet aktivitet i dyshuar i paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive

Sot, më datë 07.07.2026, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, bazuar në informacionin e siguruar nga strukturat e Inteligjencës Operative të Agjencisë, ka ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit A.S, në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

- 4 pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit;

- 4 monitorë;

- pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e basteve sportive të paligjshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në ambientet e bar-kafesë, u gjetën dhe u sekuestruan 15 doza lëndë narkotike, me peshë totale 6.45 gramë. Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Rasti po hetohet për dokumentimin e plotë të përgjegjësive ligjore.

Nga strukturat kompetente të AMP-së po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, identifikimin e personave të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e tij, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje nga punonjës të Policisë së Shtetit apo subjekte të tjera të fushës së veprimit të Agjencisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi të përfshirë.

AMP mbetet e angazhuar në evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet, tolerohet apo mbështetet nga punonjës të strukturave që janë subjekt i mbikëqyrjes së saj, duke garantuar hetim të paanshëm, profesional dhe në përputhje të plotë me ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos