Burg apo liri për Veliajn, Kushtetuesja e “hedh” çështjen te Gjykata e Kartë

Nga Armand Bajrami
25 Maj 2026, 16:52 | Kronikë

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën të kthejë në Gjykatën e Lartë diskutimin për lënien ose jo në “arrest në burg” të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Me 5 vota pro dhe 3 kundër anëtarët e Kushtetueses pranuan pjesërisht ankimin e bërë nga Veliaj kundër kësaj mase të caktuar nga të tre shkallët e gjyqësorit.

Kolegji Kushtetues  vendosi të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Lartë 8 korrikut 2025, që la në paraburgim kryebashkiakun dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim po në këtë gjykatë. Kushtetuesja ka konstatuar mangësi në arsyetimin e Gjykatës së Lartë sa i takon pretendimeve të Veliajt për cenim të proporcionalitetit të masës, lidhur me të drejtën për tu zgjedhur. Po sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë ka boshllëk arsyetimi edhe mbi pretendimin e kryebashkiakut për cenim të dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë prej mbajtjes në kafazin e xhamtë të sallës gjatë procesit gjyqësor.

Për të dy këto momente, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Gjykata e Lartë në vendimin e zbardhur të korrikut 2025 nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar pretendimeve të Veliajt. Në të njëjtin vendim Kushtetuesja i ka gjetur të pabazuara pretendimet e kreut të bashkisë për cenim të lirisë personale mes dyshimit të arsyeshëm dhe prezumimit të pafajësisë prej gjuhës së përdorur në arsyetimin e gjykatave. Gjyqtarët Kushtetues rrëzuan edhe pretendimin e Veliajt për cenim të të drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për t’u njohur me dosjen dhe mbajtja në kafaz gjatë procesit.

Gjykata Kushtetuese bëri me dije se nuk është bazuar në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë mbi masat e sigurisë, por me kthimin e çështjes për rigjykim, vetëm Gjykata e Lartë do të duhet t’i përmbahet praktikës që vetë krijoi. Ndërkohë, më 28 maj Gjykata e Lartë shqyrtonin një rekurs të bërë nga Veliaj për zëvendësimin e masës “arrest në burg” në një masë më të butë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos