Dhunuan 28-vjeçarin për qiranë e makinave, arrestohen 2 vëllezër dhe kushëriri i tyre në Lezhë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2026, 13:50 | Kronikë

Dhunuan 28-vjeçarin për qiranë e makinave, arrestohen 2

Tre persona, dy prej të cilëve vëllezër, u arrestuan nga Policia e Lezhës, pasi akuzohen se morën me forcë në automjet dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë, për 2 automjete të marra në subjektin e tyre.

Në pranga ranë vëllezërit Ronaldo Marku dhe Romario Marku, administratorë të kompanisë së makinave me qira dhe kushëriri i tyre Emiliano Marku, shkruan A2 CNN.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një 70-vjeçari, se djali i tij, 28 vjeç, ishte marrë me forcë, në automjet, dhe transportuar, nga disa shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen, pak minuta pas kallëzimit, të 3 autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririt të tyre, shtetasit E. M., 22 vjeç”, tha policia.

“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar. 3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë”.

28-vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos