
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Bodës së Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku një efektiv i Policisë së Shtetit ka humbur jetën në krye të detyrës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake nga gazetari i A2 CNN Artin Halili, një grup policor ishte nisur drejt fshatit të thellë malor për të lokalizuar dhe arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë, i cili rezultonte prej vitesh në kërkim nga autoritetet dhe kërkohej edhe nga strukturat e Policisë së Vlorës.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, teksa efektivët po afroheshin pranë zonës ku dyshohej se fshihej i kërkuari, ky i fundit ka konstatuar lëvizjet e policisë dhe ka hapur zjarr me armë zjarri në drejtim të tyre.
Nga të shtënat ka mbetur i vrarë një efektiv i forcave “Shqiponja”, ndërsa një tjetër punonjës policie është plagosur dhe po merr ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve policore, autori i dyshuar është Violand (Violant) Bacellari, ish-ushtarak dhe person me precedentë kriminalë, i njohur për autoritetet e rendit.
Mësohet se ai përdorte edhe një stan me qen në zonën ku qëndronte, çka e bënte më të vështirë afrimin e forcave policore.
Pas ngjarjes, në zonë janë dislokuar forca të shumta policore, ndërsa burime bëjnë me dije se autori është neutralizuar dhe është kapur i plagosur.
Grupet hetimore dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit ndodhen në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për identitetin e viktimës, gjendjen e efektivit të plagosur dhe detaje të tjera nga operacioni. (A2 Televizion)