Çfarë mbeti nga zjarri në Lushnjë? 5 zjarrfikës të lënduar, asnjë vatër aktive

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2023, 09:51 | Kronikë

Shefi i Repartit Zjarrfikës në Lushnjë, Xhezmi Metushi, ka bërë një bilanc të zjarrit të mbrëmjes së kaluar në qendrën tregtare, që vuri në rrezik dhjetëra njerëz dhe punonjës të zjarrfikësve.

Sipas Metushit, mbrëmjen e djeshme, ishin 10 banorë të bllokuar që rrezikuan seriozisht jetën si pasojë e flakëve, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur evakuimin e tyre.

Gjatë përballjes me flakët u lënduan 5 punonjës të zjarrfikësve, 3 nga Lushnja dhe 2 të tjerë nga rrethet që kishin shkuar për të ndihmuar.

Metushi siguron se aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive zjarri, teksa dëmet sipas tij i vlerësojnë ekspertët.

“Mbi 10 zjarrfikëse ishin ditën e djeshme në vendngjarje. U rrezikuan 10 banorë, por i evakuuam në kohë. 5 zjarrfikës në total kanë mbetur të lënduar, ndërkohë që nuk ka dalë ende shkaku i zjarrit. Nuk i vlerësojmë ne dëmet. Mendohet se zjarri mund të ketë nisur në katin e katërt, ku ka qenë një dyqan këpucësh. Nuk ka asnjë vatër zjarri, jemi këtu”, tha Metushi.

Zjarri i mbrëmjes së kaluar zgjati për më shumë se 8 orë dhe nga vlerësimet paraprake mendohet të ketë shkaktuar dëme të mëdha. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe në dy kullat që rrethonin qendrën tregtare, duke vënë në rrezik serioz jetën e banorëve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos