Forcat speciale nga Tirana, FNSH nga Fieri dhe Policia e Vlorës zhvillojnë kontrolle të befasishme në Vlorë, Selenicë dhe Orikum
Masa të shtuara në Vlorë janë vendosur mbrëmjen e së premtes në disa zona të qarkut të Vlorës, përfshirë qytetin e Vlorës, Selenicën dhe Orikumin.
Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga Tirana, së bashku me repartin e FNSH nga Fieri dhe efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë ndërmarrë kontrolle në disa pika të qytetit të Vlorës dhe jo vetëm, shkruan A2 CNN.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike, duke pasur në fokus persona me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe individë që qarkullojnë me armë pa leje.
Policia bëri me dije se operacione të tilla do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e grupeve kriminale dhe forcimin e rendit e qetësisë publike.
Burime nga policia konfirmojnë se aksionet po zhvillohen mbi bazën e informacioneve të marra për persona të dyshuar. (A2 Televizion)