I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Durim Bami, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, kërkon të mos ekstradohet, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.
Sipas mbrojtësve të tij ligjorë në Shqipëri, Bami ka pretenduar para autoriteteve arabe se janë ta paktën 16 persona në Shqipëri, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eliminojnë fizikisht, shkruan A2.
Ai ka listuar edhe emrat e këtyre personave, një pjesë e të cilëve janë në dosjen penale të SPAK, të disa grupeve kriminale që kanë thurur plane, apo siguruar kushte për vrasjen e tij.
Arrestimi i Bamit në Dubai u konfirmua zyrtarisht të hënën nga Policia e Shtetit. Bami u prangos teksa ishte në shoqërinë e disa familjarëve të tij, për llogari të një urdhër-arresti të firmosur nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i narkotikëve dhe kryerja e veprave nga organizata kriminale”.
Sipas SPAK, Bami dyshohet se ka siguruar kushte për vrasjen e ish-deputetit të PS në Lezhë, Arben Ndoka, krim që nuk ka ndodhur, si edhe sigurim kushtesh për eliminimin e Erigers Mihasit dhe Hektor Xheçukës, raporton A2.
Në qershor të këtij viti, gati një muaj pasi u shpall në kërkim nga SPAK, Bami u arrestua në Dubai, por në pak ditë u la i lirë.
Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, por tre muaj më parë edhe në mungesë të saj, autoritetet e Dubait transferuan në Shqipëri pa dëshirën e tyre të kërkuarit Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj. (A2 Televizion)