Shtyhet gjyqi ndaj Berishës, avokati: Kemi provat që tregojnë njëanshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2023, 15:50 | Kronikë

Pas shtyrjes sërish të gjyqit ndaj Sali Berishës, avokati Genc Gjokutaj deklaroi se sot kanë marrë të gjitha provat për të paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Në një deklaratë për mediat Gjokutaj tha se shtyrja e vendimit bëhet edhe për t’i dhënë kohë gjykatës për të marrë në shqyrtim kërkesën për përjashtimin e gjyqtares.

“Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares ka një afat kohor prej 3 ditësh, gjykata e shtyu për në datën 30 ora 12 shpalljen e vendimit.  Të shikojmë deri në atë moment nëse do të jetë gjykuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ne sot kemi marrë provat që do të shoqërojnë kërkesat. Em prova mbështesim kërkesën për përjashtimin e Irena Gjokës. Janë ato prova që provojnë njëanshmërinë e gjyqtares”, u shpreh avokati pa dashur të komentonte aktet e njëanshmërisë së gjyqtares.

Pa shumë surpriza, vendimi për Sali Berishën është shtyrë sërish. Ndonëse ishte parashikuar ora 15:00 e ditës së sotme që të kishte një vendim për ashpërsimin e masës së sigurisë në "arrest shtëpie" nën mbikëqyrje policie dhe "ndalim komunikimi" ndaj ish-kryeministrit, sërish gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur që të shtyjë seancën për të shtunën, datë 30 dhjetor në orën 12:00.

Shtyrja e vendimit është bërë me qëllim për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të depozitojnë kërkesën e tyre për përjashtimin e trupës gjykuese. Më herët, ditën e sotme, avokatët mbrojtës të Berishës kanë kërkuar disa akte shkresore, prova, mes të cilave vendimmarrjes së gjyqtares Irena Gjoka në seancat e kaluara, pasi pretendojnë se ajo ka shfaqur njëanshmëri në proces.

Kështu, Sali Berisha do të mësojë për fatin e tij me 30 dhjetor. Ai akuzohet për korrupsion pasiv sa i përket aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Këtë proces ai e ka konsideruar si një gjyq politik, i organizuar dhe dirigjuar nga Edi Rama, që bëhet me qëllim eliminimin e opozitës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos