Tre ditë pas ekstradimit nga Turqia, Gramoz Rexhepi, përballet me Gjykatën e Posaçme. A2 CNN ka mësuar se GJKKO konfirmoi masën "arrest në burg" ndaj tij, si i akuzuat për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prenges.
Pasi i verifikoi masën e sigurisë të dhënë ne mungesë, Gjykata e Posaçme shtyu për më 24 janar seancën e procesit ku ai akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Shkak i shtyrjes u bë mungesa e avokatit të Korado Kështenjës. Në këtë proces Rexhepi është i bashkëpandehur me 6 persona të tjerë. Përveç Rrexhepit, të gjithë të tjerët gjykohen në mungesë, pasi ende nuk janë arrestuar. Të pandehurit në këtë proces janë, Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Korado Kështenja/ Gështenja dhe Martin Bleta.
Dritan Rexhepi, i njohur edhe me emrin Gramoz u arrestua në nëntor të 2023-shit në një vilë në Stamboll, teksa përdorte një pasaportë të falsifikuar kolumbiane. Që pas prangosjes së tij, Shqipëria ishte në garë me 3 shtete të tjera për të bindur autoritetet turke për ekstradimin, përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ekuadorin, ndërsa dosja me provat e kopsitura të SPAK, me sa duket, bindën autoritetet turke që Dritan Rexhepi të dorëzohej për llogari të drejtësisë në vendin e tij, shkruan A2 CNN.
Ai akuzohet për rolin e tij si porositës në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, trupi i të cilit nuk është zbuluar ende. Urdhri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020 në Kamzë, e dha pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
Por ndërkohë mbi Dritan Rexhepin rëndon një vendim i 2013-ës prej 25 vitesh burg për vrasjen në vitin 1999 të dy personave në Fushë Krujë, njeri prej tyre polici Durim Kasmi.
Mbi Dritan Rexhepin historiku i problemeve në drejtësinë vendase dhe të huaj nis në 2006-ën kur në Tiranë u arrestua me një armë pa leje, ndërsa u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje në Durrës. Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali, i dënuar me 15 vite burg për trafik droge, 13 prej të cilave i kanë mbetur pa u shlyer, pasi u arratis në 2011-ën. Po atë vit u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë, po për trafik droge, ku përsëri u arratis.
Ai u shndërrua në një prej baronëve të karteleve të kokainës nga Amerika Latine. Në vitin 2014 Dritan Rexhepi u arrestua në Ekuador me 240 kg kokainë, por dyshohet se drejtonte nga qelia rrjetin e trafikut të kokainës për në Europë. Në vitin 2020, Interpoli botoi disa fotografi të tij nga brenda burgut në Ekuador. Po atë vit rrjeti i tij u shkatërrua nga një operacion i Europol, ku u përfshi edhe Policia jonë e Shtetit. (A2 Televizion)