Berisha e akuzoi si kriminel elektoral dhe se po përgjohej nga SHISH, SPAK zbulon nëse po hetohet Pendeli Majko

Nga A2 CNN
10 Janar 2025, 13:59 | Politikë

Berisha e akuzoi si kriminel elektoral dhe se po përgjohej nga SHISH, SPAK

SPAK ka njoftuar se nuk rezulton të ketë asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko, pas akuzave të kryedemokratit Sali Berisha që e quajti deputetin socialist kriminel elektoral.

“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, thuhet në njoftimin e SPAK për A2 CNN.

Për të treguar që ishte i pastër pas akuzave të Berishës, Majko tha se ishte i gatshëm të zhvishet nga imuniteti parlamentar, pavarësisht se me ligjet në fuqi SPAK mund ta hetojë edhe pa këtë vendim.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar një letër edhe Shërbimit Informativ të Shtetit, pas akuzave të bëra nga kreu i demokratëve Sali Berisha se ai është nën përgjimin e këtij institucioni.

Teksa kërkoi informacion për këtë çështje, Majko shkruante se përgjigja prej SHISH duhet të kthehet brenda 15 ditësh në të kundërt do të verë në dijeni dhe kryeministrin.

Kujtojmë se të hënën Sali Berisha akuzoi Pandeli Majkon për krime zgjedhore, pak pasi Edi Rama e largoi nga drejtimi politik i qarkut Kukës.

Akuza duket se i ka “gërvishtur” sedrën politike deputetit socialist, i cili trokiti edhe në zyrën e Elisa Spiropalit duke i kërkuar ndihmë kryeparlamentares, me synim që të “pastrojë” figurën e tij para se të shkojë përpara qytetarëve të Tiranës për të kërkuar votën në 11 maj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos