
Kryedemokrati Sali Berisha tha sot në Kuvend se Partia Socialiste ka parashikuar shkrirjen e 25 bashkive në vend, çka sipas tij është vijim i planit për shpopullimin e vendit.
“Paprimtas Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e shpopullit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë. Ka parashikuar të shkrijë 25 bashki nga Konispoli në Krumë. Kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi”, tha Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla tha se nuk pati një kërkesë nga PD për shtyrjen e afatit të komisionit, por në 23 korrik do të dëgjohen raportet. Po ashtu Balla theksoi se nuk do të preket nga shkrirja Hasi apo Mirëdita, sikurse është aluduar.
"Komisioni i reformës territoriale nuk solli një kërkesë për shtyrjen e komisionit, as në mënyrë te njëanshme. Me datë 23 korrik nuk do të ketë votim, por do të dëgjohen raportet. Hasi nuk prekët, Mirdita është e madhe”, u shpreh Balla.
Më herët përfaqësuesi i PD Xhelal Mziu kërkoi që me procedurë të përshpejtuar të zgjatej puna e Komisionit të Reformës Territoriale. Sipas tij duhet konsulencë ndërkombëtare dhe dialog politik. (A2 Televizion)