Të tjera pamje të pazakonta vijnë nga Kuvendi i Shqipërisë, ku deputetët e opozitës janë më të vendosur se kurrë për të mos lejuar punimet normale në Komisione.
Një tjetër incident është regjistruar kur deputetët e opozitës, pjesa më e madhe e të cilëve të përjashtuar tashmë, nuk janë lejuar nga Garada të ngjiten në katin e dytë të Kuvendit, ku po zhvillohej dhe mbledhja e konferencës së kryetarëve për prezantimin e pr.buxhetit për vitin 2024, e pezulluar më herët, për një situatë të ngjashme.
Të pamundur për të kaluar këtë pengesë, deputetët opozitarë, mes të cilëve mund të shquheshin Bardhi, Nika, Paloka, Salianji, Korreshi, Hoti, por edhe të tjerë, kanë hyrë me dhunë në zyrën e kryetares Lindita Nikolla, ndonëse truproja e saj tentoi t’i ndalonte.
Deputetët kërkuan llogari nga Nikolla për këtë masë ekstreme, teksa gjatë gjithë kohës debatet u zhvilluan me tone të larta. (A2 Televizion)