Ermonela Felaj, Deputete e Partisë Socialiste, ishte e ftuar këtë të diel në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ku ndër të tjera foli edhe për dosjen “Xibraka”.
Deputetja e PS-së u shpreh se PD është kujtuar pas 10 vjetësh për këtë dosje. “Kjo është një çështje që PD dhe disa zëdhënës të saj u kujtuan ta lexojnë pas 10 vjetësh. Në vitin 2016 është ngritur një komision hetimor për Policinë e Shtetit dhe aty është marrë edhe dosja në fjalë. Prandaj, kjo është e gjitha një shpifje e ngritur nga fillimi në fund dhe mendoj se nuk ka më vend për koment”, tha deputetja.
Për Ermonela Felajn, Partia Demokratike po krijon alibi për humbjen e radhës së saj.
“Diskutimi në fjalë është bërë 10 vite më parë në një komision hetimor të kërkuar nga opozita dhe të drejtuar nga opozita. Gjithçka nga ajo dosje ka qenë publike. Përpjekja për të montuar një shpifje lidhet me faktin që PD është duke ndërtuar alibinë e humbjes dhe këtë e ka bërë edhe në zgjedhjet e kaluara”, tha Felaj në “Off the Record”.
SPAK reagoi dy ditë më parë për këtë dosje duke thënë se nuk ka gjetur asnjë provë që të përfshijë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Përmes një reagimi zyrtar, SPAK konfirmoi mbylljen e hetimit të nisur pas një kallëzimi të deputetit demokrat, Gazment Bardhi, që pretendonte se Olsi Rama kishte lidhje dhe kontakte me persona të dënuar në lidhje me laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë, shkruan A2.
“Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thuhej në reagimin zyrtar të SPAK. (A2 Televizion)