Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Tiranë. Rreth orës 11:00 Erdogan mbërriti në aeroportin e Rinasit, ku u prit nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe ministri i jashtëm Igli Hasani. Më pas lideri turk u nis drejt Tiranës ku do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti Begaj.
Më pas do zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me Begajn dhe 12:15 pritet takimi me Edi Ramën në ambientet e Kryeministrisë. Agjenda e tij do të vijojë me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve në orën 13:15 dhe më pas pritet konferenca për shtyp mes Ramës dhe Erdogan. Pjesë e agjendës së Erdogan janë të nënshkruhen 3 marrëveshje mes delegacioneve të dy vendeve.
Ndërkohë në orën 16:50, Erdogan pritet që të inaugurojë Xhaminë e Namazgjasë në kryeqytet.
Për mbarëvajtjen e vizitës shtetërore të presidentit turk janë marrë masa të larta sigurie. Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan. (A2 Televizion)