“Këtu bëhesh i pasur vetëm me lidhje me qeverinë!”, Dervishi: Protesta është pakënaqësi edhe e administratës

Nga A2 CNN
29 Qershor 2026, 21:41 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi duke folur për protestën qytetare që sot hyri në ditën e 30-të të saj, theksoi se emëruesi i përbashkët i të gjithë qytetarëve në shesh është halli dhe pakënaqësia.

Dervishi nxori në pah perceptimin e protestuesve se në Shqipëri nuk bëhesh i pasur me inovacion, por duke patur lidhje me qeverinë.

Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Dervishi u shpreh se kjo është edhe një protestë e administratës së pakënaqur.

"Është një pakënaqësi pasi qytetari s’është në qendër të administratës dhe ka një divorc mes asaj që qeveria trumbeton dhe realitetit të përditshëm. Kur ti dëgjon protestuesen me fëmijën në krah që thotë me këtë pagë 400 mijë lekë dhe qira 400 mijë lekë, thjesht kupton që emëruesi i përbashkët i njerëzve që kanë dalë aty është halli. S’i ka nxjerrë Turqia, as Greqia, i ka nxjerrë pakënaqësia. Pakënaqësia s’është vetëm ndaj qeverisë, por ndaj elitës. Janë kundër kapitalizmit të keq shqiptar. Është një protestë kundër kapitalizmit klientelist, ku s’bëhesh i pasur pasi ke aftësi inovatore, as se je i mençuar, por për shkak të lidhjeve të shkurtra me qeverinë", u shpreh gazetari. 

"Ndoshta është edhe një pakënaqësi ndaj nesh, dhe me të drejtë, sepse thonë ju kemi pare 35 vite, s’na keni sjellë ndonjë gjë. Është një pakënaqësi e një brezi të ri, që s’do të iki nga ky vend, por e ka të pamundur në këtë vend. Është pakënaqësi edhe e administratës, shoh edhe njerëz të administratës, është pakënaqësi e ish-socialistëve. Emëruesi i përbashkët është pakënaqësia, por nuk adresohet problem. Problemi zgjidhet me një reset, që duhet ta bëjë qeveria, opozita, elita”, tha Dervishi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos