Pedagogia Elsa Skënderi deklaroi se protesta qytetare, tashmë në ditën e saj të 22-të, është një shembull aktivizmi “që na ka munguar dhe për të cilin kemi shumë nevojë”.
“Kjo pjesëmarrje për 22 ditë rresht dhe fakti që njerëzit në një lloj mënyre nuk janë ngopur me këtë rolin e aktivizmit që kanë marrë përsipër, sikur vetëm kaq të ishte arritja e protestës, është e jashtëzakonshme sepse është një shembull aktivizmi që na ka munguar dhe për të cilin kemi shumë nevojë. Në një lloj mënyre të sinjalizon për qytetari edhe për vetëdijësim, për rolin që ka gjithsecili kur vjen puna tek fatet e vendit dhe tek e ardhmja e fëmijëve tanë. Kështu që, në këtë pikëpamje protesta po na jep përditë mësime qytetarie, mësime që vijnë prej kësaj pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme që secila parti politike më vete do t'i kishte ëndërr. Ne kujtojmë edhe aksione të forcave të ndryshme politike që kanë synuar të qëndrojnë, të bëjnë rezistencë, por u kanë munguar numrat nga njëra anë dhe u ka munguar vërtetësia e kauzës nga ana tjetër”, tha Skënderi në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Nëse e shihni, nuk është thjesht një masë njerëzish që janë kritikë apo janë të pakënaqur. Është një masë njerëzish që kanë një lloj entuziazmi aty brenda. Ti e ndjen këtë lloj atmosphere, thuajse eufori të njerëzve që e kanë rigjetur forcën te njëri-tjetri dhe e kanë kuptuar që zëri i tyre vlen, prandaj shkojnë edhe bëhen bashkë ditë pas dite”, shtoi pedagogia Elsa Skënderi. (A2 Televizion)