PD mbledh Këshillin Kombëtar, Berisha: Mbështesim lëvizjen e gjeneratës Z

Nga A2 CNN
1 Korrik 2026, 19:06 | Politikë

PD mbledh Këshillin Kombëtar, Berisha: Mbështesim lëvizjen e

Partia Demokratike mblodhi këtë të martë Këshillin Kombëtar të dalë nga Kuvendi Kombëtar i zhvilluar më 30 maj. Në fjalën e hapjes, kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi përbërjen e re si "Këshillin Kombëtar më të fuqishëm dhe më cilësor" në historinë e kësaj force politike.

"E them me ndjenjë optimizmi, kënaqësie dhe krenarie, se ky është Këshilli Kombëtar më i fuqishëm, më cilësor që Partia Demokratike ka zgjedhur në tërë historinë e saj.

Është një Këshill që merr përsipër misionin historik të rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe rotacionit të pushtetit", u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve u ndal edhe te protesta qytetare që, sipas tij, udhëhiqet nga të rinjtë e gjeneratës Z. Ai deklaroi se Partia Demokratike e mbështet këtë lëvizje, të cilën e cilësoi si një "zgjim të gjeneratës së re".

"Një lëvizje e fuqishme si një zgjim i vërtetë i gjeneratës së re, apo gjeneratës Z, ka shpërthyer në Shqipëri si një lëvizje liberatore. Partia Demokratike e ka mirëpritur dhe e mbështet fuqimisht këtë lëvizje", tha Berisha.

"Ishte kjo gjeneratë që shpëtoi vendin nga mbeturinat e armëve kimike. Ata nuk u tërhoqën nga beteja derisa fituan.

Po kështu, pas vrasjes së Klodian Rashës, ata dolën në rrugë dhe detyruan qeverinë të shkarkonte ministrin", deklaroi kreu i PD-së.

"Tani ata janë në rrugë. Forcë në botë që mund t'i pengojë pa realizuar përmbysjen e kësaj qeverie, nuk ka. Çfarëdo që të bëjë Edi Rama, është i pashpresë. Ajo gjeneratë nuk di të tërhiqet, di vetëm të fitojë", u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos