Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, zhvilluan një bisedë me efektivët shqiptarë që kontribuojnë në misionet jashtë vendit.
Teksa i uroi për festat e fundvitit, Peleshi shprehu vlerësimet për Forcat e Armatosura, të cilat sipas tij bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët.
“Ju jeni pjesa më e ekspozuar në angazhimet tona ndërkombëtare. Na bëni krenarë, sepse i jepni një dimension tjetër angazhimit tonë, jo vetëm në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, por edhe në eksportin e paqes e sigurisë në mbrojtjen kolektive. Kjo na bën jo vetëm përfitues nga anëtarësia në këtë aleancë të madhe, por edhe kontributorë, ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, me kapacitete modeste, por gjithnjë në rritje dhe të modernizuara”, u shpreh ministri Peleshi.
Më tej, ministri foli edhe për planet dhe objektivat e mbrojtjes për vitin që vjen dhe punën në bazën ajrore të Kuçovës.
“Pas pak javësh, do të fillojë operacionet baza taktike ajrore e Kuçovës që është një bazë e NATO-s. Po punojmë që të fusim në planet e mbështetjes së NATO-s, me modelin e Kuçovës edhe ndërtimin e një porti pranë portit të ri në Porto Romano, një porti ushtarak që do ta bënte vendim me dy infrastruktura të rëndësishme të NATO-S, për stërvitje, mbështetje taktike apo dislokime në rast nevoje, operacionesh drejt krahut lindor të NATO-s. Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj në rajon, në krahun e Perëndimit. Ne kemi vetëm një agjendë dhe ajo është integrimi euroatlantik”, theksoi Ministri Peleshi. (A2 Televizion)