Sondazh: Preferoni që emri i fëmijës tuaj të jetë:
  • Tradicional 37%
  • Modern 5%
  • I trashëguar 16%
  • Unik 42%

Prezenca e OSBE-së thekson nevojën për progres me Reformën Zgjedhore në Shqipëri

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2023, 17:01 | Politikë

Prezenca e OSBE-së thekson nevojën për progres me Reformën

Në veprimtarinë e tij të fundit si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton priti sot takimin e posaçëm të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, ku morën pjesë drejtues të ambasadave të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.

Takimi u fokusua te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 dhe vizitës pasuese në Tiranë. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet më të fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe për nevojën për përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim.

“Shpresoj që drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive dhe grupimeve të ndryshme politike të ngrihen mbi ndasitë dhe interesat partiake e të ndërmarrin hapa konkretë drejt një reforme të njëmendtë. Vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore përcakton se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë udhëzuesi kryesor për reformën zgjedhore. Rekomandimet i drejtohen një game të gjerë aktorësh, përfshirë ata politikë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, autoritetet shtetërore, institucionet publike e të tjerë dhe secili duhet të bëjë pjesën e vet”, tha ambasadori Berton.

Duke theksuar se të gjitha rekomandimet janë të rëndësishme dhe meritojnë vëmendje, ambasadori Berton vuri në dukje tri fusha kryesore që kërkojnë vëmendje të shtuar:

"Hetimi i plotë dhe i shpejtë i akuzave për shkeljet e rënda zgjedhore si blerje votash, presion ndaj votuesve dhe abuzim me burimet shtetërore për përfitime elektorale, së bashku me ndërgjegjësimin për këto dukuri negative;

Garantimi i fshehtësisë së votimit nëpërmjet masave mbrojtëse efektive procedurale të zbatueshme nga autoritetet përgjegjëse kur flitet për parandalimin e frikësimit të votuesve, votimit në grup, në emër të përfaqësuesit, etj..

Trajtimi i disa çështjeve që lidhen me rolin e medias në zgjedhje, në veçanti: - shmangia ose të paktën kufizimi i përdorimit në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë/autoritetet shtetërore; - nxitja e një mjedisi mediatik të pavarur dhe vërtet të larmishëm, që është i lirë nga ndikimi politik/privat dhe që kufizon përqendrimin e pronësisë së medias.

Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore.", vijoi më tej ambasadori Berton.

A2 CNN Livestream

A2 Business