Të gjitha meritat për suksesin e reformës në drejtësi i shkojnë qeverisë së Partisë Socialiste.
Këtë qëndrim mbajti kryeministri Edi Rama në emisionin “Debat” në A2CNN, kur u vendos përballë faktit se ishin ndërkombëtarët që me presion dhe rekomandime bënë bashkë klasën politike për ta votuar vettingun dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
“E para Partia Socialiste e ka nisur reformën drejtësi në ditën një të qeverisjes së saj dhe e ka nisur sepse e ka pasur në program në opozitë. Në programin elektoral, zgjedhor ka pasur këtë reformë dhe asnjë bashkëpunim me aleatët strategjikë. E dyta reforma ka kaluar mbasi është punuar intensivisht nga një komision ekspertësh dhe është udhëhequr nga PS. Gjatë gjithë kohës është ndërvepruar me aleatët strategjikë pikërisht për ta garantuar reformën. Kurrë asnjëherë ti nuk nxjerr dot një fakt që komisioni i reformës ka propozuar një nen të vetëm ku ka tentuar të kapi drejtësinë. S’e nxjerr dot se nuk ka. Kreu i komisionit për reformën në drejtësi ka qenë Fatmir Xhafaj. Nëse Fatmir Xhafaj nuk është i PS atëherë pastaj i bie që të gjithë të tjerët nuk e dimë se të kujt jemi. Ka pasur në përbërjen e vetë një pjesë të rëndësishme të mendimit juridik të PS.”
Më tej Rama shtoi se e vetmja meritë që ai i faturon aleatëve dhe në veçanti SHBA-ve është se kanë detyruar ligjvënësit demokratë që të votojnë ligjin për reformën në drejtësi.
“Në çdo hap kur ka dalë një produkt është vendosur në tryezë për të marrë mendimin e aleatëve tanë strategjikë. Aleatët kanë qenë këtu që në 91, i kanë folur këto historitë e korrupsionit, kanë qenë të gatshëm ta mbështesin siç na mbështetën ne, këdo që do tentonte. S’e ka tentuar askush tjetër përpara 2013. Reforma ka kaluar në 2016. Ne e kemi bërë me një vullnet të llahtarshëm. Nuk ka asnjë vend në rajon dhe as në Bashkimin Europian të ketë bërë këtë që bëmë ne. Në Kushtetutë ata i ka futur vullneti ynë, vullneti i Partisë Socialiste. Futja e operacionit të monitorimit në pushtet. Merita e tyre ekskluzive, e Amerikanëve është se futën në rresht ata që e votuan. PS ka qenë udhëheqësja. Nuk e kemi pasur asnjë trysni ne nga faktori ndërkombëtar. Vettingun e kemi kërkuar ne, kemi insistuar ne.” (A2 Televizion)