Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në Samitin e Diasporës, që po mban punimet në Tiranë, u shpreh se, mërgata shqiptare është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e për pavarësi të shqiptarëve.
Sipas Osnanit, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat janë përballur, lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata të mos ia kthejnë kurrë shpinën atdheut.
Kreu i shtetit të Kosovës nuk ngurroi të përmendte edhe artistët, futbollistët e të gjitha shqiptarët e tjerë nëpër botë, të cilët pavarësisht se ku jetojnë apo çfarë bëjnë, atje ku janë, nuk e harrojnë kurrë që janë shqiptarë.
“Jam e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin që na mbledh zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi. Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit shqiptar.
Shqiptarët kanë lënë gjurmë në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre. Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur mërgata shqiptare, ka mbetur thellësisht e lidhur me vendin.
Pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat janë përballur, lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata të mos ia kthejnë kurrë shpinën atdheut.
Nuk duhet të harrojmë se vëllezërit e motrat tona në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik, që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithmonë u themi edhe sot: Ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Ndaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre, duhet të jemi një.
Mërgata shqiptare është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e për pavarësi të shqiptarëve. Ata janë burim force për ne në drejtim të demokracisë, lirisë e fuqizimit të shtet-ndërtimit dhe prosperitetit të popullit tonë.
Kjo mërgatë bëri të mundur mbajtjen gjallë të idesë politike për lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë. Rrugëtimi i tyre është një me fatin e vendit.
Nuk janë vetëm individët, por ka edhe shumë shoqata që grumbullojnë shqiptarët nëpër botë. Asgjë nuk dëshmon më shumë lidhjet e forta me rrënjët, sesa arbëreshët tanë, të cilët ruajtën gjuhën dhe traditën për shekuj të tërë.
Sot kemi shumë arsye që të krenohemi si shqiptarë, nga Dua Lipa, e deri te Rita Ora e shumë artistë të tjerë, të cilët na kanë bërë shumë krenarë. E deri te futbollistët, e shumë e shumë të tjerë në sporte të ndryshme, pavarësisht ekipeve ku kanë luajtur, zemrat tona rrahin njësoj me të tyret”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
(A2 Televizion)